Milani do të përballet sonte në mbrëmje me Spalin, në një sfidë që nga shumë njerëz të futbollit në Itali, konsiderohet edhe si testi i fundit i trajnerit Xhenaro Gatuzo në bankinën e ‘kuqezinjëve’ dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të pasohej me humbjen e tij.
Megjithatë nuk janë të këtij mendimi dy drejtuesit e lartë të ‘kuqezinjëve’, Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët janë thirrur për të futur në shinat e suksesit skuadrën dhe po punojnë për ndërtimin e saj.
‘Gatuzo nuk preket. Nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në diskutim e ardhmja e tij në stolin e Milanit, ndërsa mund t’ju garantoj se nuk është aspak e vërtetë që kemi kontaktuar trajnerë të tjerë, për të zëvendësuar Gatuzon. Ajo që është e vërtetë, është momenti i vështirë që po kalojmë, të cilin duhet ta kalojmë duke kontribuuar të gjithë bashkë më shumë’, – deklaroi Leonardo, ndërsa në të njëjtën linjë ishte edhe Maldini.
Drejtuesi brazilian i ‘kuqezinjëve’ foli edhe për merkaton e janarit, ku theksoi se po punon për të afruar disa lojtarë në huazim dhe për të krijuar një grup konkurrues për gjysmën e mbetur të kampionatit, por pranoi edhe vështirësitë që sjell kjo periudhë.