Mesfushori i Juventusit, Blaise Matuidi ka zbuluar se ka dhuruar për bamirësi fitimet e Kupës së Botës me Francën në eventin e sivjetshëm të zhvilluar në Rusi.
Francezëve u takuan 38 milionë dollarë për fitimin e titullit më të madh botëror për kombëtaret, ndërkohë që secili prej 23 futbollistëve që përfaqësuan ‘gjelat’ në këtë event të rëndësishëm futbollistik, përfituan nga një bonus prej 330 mijë dollarëve.
“Ne të gjithë jemi të lirë të marrim atë vendim [të dhurimit] dhe ta bëjmë publike, por po, i dhurova të holla shoqatës sime”, tha Matuidi për ‘Journal du Dimanche’.
“Kylian Mbappe ka absolutisht të drejtë kur thotë se fitojmë shumë para. Për ne nuk është shumë, por ajo që bëjmë është e madhe për ata”.
“Gjëja më e rëndësishme është që kjo vjen nga zemra dhe e bëjmë atë sepse me të vërtetë kujdesemi. Kur shoh një fëmijë duke buzëqeshur, ajo më mbush me lumturi”, tha futbollisti i Juventusit.
Theksojmë “Tremplins Blaise Matuidi” është një organizatë bamirëse, e cila synon të riintegrojë fëmijët e varfër në shoqëri.
Ndryshe, edhe disa prej futbollistëve të tjerë francezë kanë paralajmëruar se do t’i dhurojnë për bamirësi paratë e fituara në saje të kampionatit Botëror në Rusi të zhvilluar gjatë këtij viti që jemi duke e lënë pas.