Juventusi është në një nivel tjetër, nuk ndalet dot as nga Roma


‘Biankonerët’ shënuan fitore minimale 1:0 ndaj Romës, ndërsa edhe njëherë tjetër gjatë këtij edicioni vendimtarë doli të jetë goli i Mario Manxhukiç…

Skuadra kampione në fuqi dhe njëherit lider në edicionin e sivjestshëm në ‘Serie A’, është në një nivel tjetër. ‘Bardhezinjtë’ nuk u ndalën dot as nga Roma në ndeshjen derbi të javës së 17-të, duke fituar edhe një ndeshje të rëndësishmë këtë edicion në kuadër të ndeshjeve në elitën e futbollit italian.

‘Biankonerët’ shënuan fitore minimale 1:0 ndaj Romës, ndërsa edhe njëherë tjetër gjatë këtij edicioni vendimtarë doli të jetë goli i Mario Manxhukiç.

Kroati golin e vetëm të këtij takimi e realizoi në minutën e 35-të, kur me kokë arriti që të mposhtë portierin Olsen, i cili bëri një paraqitje shumë të madhe para të pranishmëve në ‘Alianc Stadium’, duke pritur disa goditje shumë të rrezikshme, në veçanti ato të Kristiano Ronaldos, i cili mbeti në kuotën e 11 golave të shënuar, duke qëndruar i dyti në listën e golashënuesve, pas polakit të Xhenoas, Piatek, i cili ka të shënuar 13 gola.

Në anën tjetër për Mario Manxhukiç, ishte ky goli i 8-të këtë edicion në ‘Serie A’, aty ku Juventusi vazhdon të kryesojë bindshëm me 49 pikë, 8 më shumë se Napoli i vendit të dytë, që kishte mundur me po të njëjtin rezultat 1:0 ekipin e SPAL, ndërkohë vendi i tretë i takon Interit, që dështoi fare në fund në përballjen në transfertë ndaj Kievos, skuadër kjo që me golin e Pelisie, barazoi shifrat në 1:1, duke i mohuar fitoren skuadrës ‘zikaltër’, që deri në minutën e 90-të avansonte me golin e Perishiç.

Leave a Reply