Pasi e mbylli grupin duke u renditur në vend të parë, tashmë Paris Saint-Germain përgatitet të përjetojë një sfidë të dyfishtë në nivel të lartë vështirësie dhe spektakli. Në të 16-at e UEFA Champions League, PSG do të sfidojë Manchester United të Jose Mourinho, që u rendit në vend të dytë të grupit tjetër, pas Juventus. Një short i vështirë dhe shumë sfidues ky i PSG në Champions League që komentohet edhe nga vetë numri një i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi.
“Për herë të parë në historinë e UEFA Champions League, klubi ynë do të përballet me Manchester United. Kjo fazë finalesh premton dy përballje madhështore në Champions League kundër një kundërshtari prestigjoz, për të cilin kemi respekt të madh. Tifozët tanë do të përjetojnë moment magjike, si në “Old Trafford” të Manchester, ashtu edhe në “Parco dei Principi”. Sikurse kam thënë gjithmonë, duhet të jemi gati për tu përballur me të gjitha skuadrat, dhe besoj se do të jemi”, deklaroi presidenti i PSG, Al-Khelaifi