Interi ka dështuar të marrë fitore në ndeshjen vendimtare ndaj PSV Ajdhovenit në ‘Xhuzepe Meaca’, ndërsa njëkohësisht ka dështuar të kalojë edhe në fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve, pasi nga grupi ‘B’, përveç Barcelonës kryesuese, në fazën e dytë do të luaj edhe Totenhami, që sonte në ‘Kamp Nou’ barazoi 1:1 ndaj skuadrës ‘katalunase’.
Pra dy barazime identike (1:1), në Xhuzepe Meaca dhe Kamp Nou, me ‘spërsat’ që festonin bashkë me tifozët e tyre në Spanjë, aty ku Totenhami mbeti i pamposhtur, që njëherit ishte edhe qëllimi i tyre kryesor.
Ndeshja në fjalë ishte me dy fytyra të ndryshme, me një super Barcelonë gjatë pjesës së parë, kur edhe avansoi me golin e Dembele që në minutën e 7-të dhe një super, super Totenham në pjesën e dytë, që golin e shumë kërkuar e gjeti në minutën e 85-të me anë të rezervistit Lukas Moura.
Interi gjithçka kishte në duart e veta sonte, mirëpo goli i meksikanit Hirving Lozano që në minutën e 13-të prishi matematikat e ‘zikaltërve’, të cilët gjithçka që mundën të bëjnë sonte para tifozëve të tyre, ishte goli i Mauro Ikardit në minutën e 73-të, mirëpo që nuk ishte i mjaftueshëm që kjo skuadër të vazhdojë garat në fazën e eliminimit.
Barcelona pas 6 xhirove në grupin ‘B’ numëron 14 pikë, 6 më shumë se Totenhami i vendit të dytë, ndërsa Interi edhe pse kishte pikë të njëjta me skuadrën angleze (8), në fund duheshe të përshëndetet nga garat më prestigjioze europiane, kjo vetëm për shkak gol averazhit më të dobët.