Shkëndija përforcohet nga Superliga shqiptare

Shkëndija e Tetovës stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e parë me 5 pikë diferencë ndaj skuadrës së dytë në renditje, Vardarit, mirëpo që ‘kuqezinjtë’ nga Tetova ta mbyllin sezonin në të njëjtën pozitë edhe në fund të kampionatit do të duhet që të rifreskojnë rradhët e tyre.

Edhe pse futbollistët ndodhen në pushim të merituar, drejtuesit po rishikojnë mundësitë dhe kërkesat e trajnerit Osmani, nën drejtimin e të cilit Shkëndija do të tentojë edhe titullin e dytë të njëpasnjëshëm dhe të tretin në histori.

Burime të ‘infOSport.mk’ bëjnë me dije se kampionët e vendit sërish kanë rizgjuar interesim për mesfushorin e Luftëtarit, Eduart Rroca, i cili sezonin e kaluar bashkë edhe me Kristal Abazajn dhe Dejvi Bregun, ishte ndër më të dalluarit dhe më të merituarit për sukseset e skuadrës gjirokastrite.

Ai me Luftëtarin ka kontratë deri qershorin e vitit 2019-të, ndërsa që mos ta humbasin atë me parametro zero, drejtuesit e skuadrës gjirokastrite me siguri se do pranonin të hynin në bisedime me drejtuesit e Shkëndijës, të cilët për shërbimet e 25-vjeçarit interesoheshin edhe gjatë verës së kaluar. Për më tepër Rroca ka të njëjtin menaxher që te Shkëndija solli edhe Gledi Micin, i cili doli si një përforcim mjaft i qëlluar i skuadrës tetovare. Me siguri se një emër si Rroca do të shtonte konkurrencën te Shkëndija, që piksynim kryesor këtë vit ka vetëm titullin kampion, duke pasur parasysh se ditë më parë u eliminua nga Kupa, të cilën e kishte fituar edicionin e kaluar, kur në Strumicë kishte mundur Pelisterin me rezultatin e pastërt 3:0.

Leave a Reply