Sulmesi tetovar Izair Emini, brenda dy viteve fiton trofeun e tretë në futbollin shqiptar. Pas Kupës dhe Super Kupës, Emini me Kukësin të shtunën mundi Skënderbeun, duke siguruar titullin e kampionit në Super Ligën e Shqipërisë.
Izair Emini bën historinë me skuadrën e Kukësit, duke fituar titullin e parë në ekzistencën e kësaj skuadre. Ekipi veri-lindor i Shqipërisë mundi 2:0 Skënderbeun dhe një javë para fundit siguroi matematikisht titullin e kampionit, duke i dhënë fund dominimit 6-të vjeçar të korçarëve.
“Jam shumë i lumtur që arritëm të dalim kampionë me Kukësin, duke ndërprerë dominimin shumë vjeçar të Skënderbeut. Kemi qenë më të mirët gjithë sezonin, mbajmë një rekord fantastik pa humbje në këtë kampanjë, nuk na ka mundur asnjë rival për titullin, deri sa ne e kemi bërë këtë, kemi grumbulluar më shumë pikë dhe siguruam titullin me fitore përballë tani më ish-kampionit. Kjo tregon se Kukësi ishte numër 1 këtë sezon”, shprehet për InfoSport, Izair Emini.
Ai fiton titullin tretë me Kukësin dhe të 5-tin në karrierë pasi ka fituar kampionatin dhe Super Kupën e Maqedonisë me Shkëndijën e Tetovës. Më vonë luajti edhe për Renovën, ndërsa potencon hap të qëlluar transferimin në kampionatin shqiptar.
“Kam kaluar periudha të mira kudo që kam luajtur, por ndjeja se erdhi koha të dal jashta Maqedonisë. Realisht pak mungoi gjërat të shkonin ndryshe, por deshti Zoti dhe kështu u bë më mirë. Prandaj tani në këto momente feste dua të falenderoj të gjithë që më kanë mbështetur gjatë karrierës. Falënderim edhe për ata që në momente të caktuara më kanë tradhëruar apo më kanë dalë prej fjale, sepse nga perspektiva e tashme rezulton se në mënyr indirekte kanë kontribuar karriera ime të merrte këtë kahje dhe unë sot të kem në CV time gjitha titujt e mundshëm në futbollin shqiptar”, përfundoi Emini.