Në pritje të ‘Topit të Artë’, ku shihet si favoriti kryesor, Luka Modriç mori një tjetër çmim të rëndësishëm.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në futboll (IFFHS), kroati është lojtari më i mirë për vitin 2018.
Mesfushori i Realit të Madridit e fitoi këtë çmim duke lënë pas krahëve Lionel Messin dhe Eden Hazard, me jurinë që përbëhej nga 90 ekspertë nga e gjithë bota.
Modriç grumbulloi plotë 272 pikë, duke lënë pas vetes Messin me 144, teksa belgu Hazard kishte marrë vetëm 114 pikë. Sa i përket ish yllit të Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, që tashmë mbron ngjyrat e Juventusit, i njëjti u rendit vetëm në vendin e 10-të.
Tibo Kurtua u shpall më i miri për sa i përket portierëve, me 181 pikë të grumbulluara, përpara Hugo Lloris të Totenhamit dhe legjendës italiane Xhanluixhi Bufon, i cili këtë çmim e kishte fituar vitin e kaluar.
Ndërkohë në kategorinë e trajnerëve për klube, më i mirë u shpall Zinedin Zidane, të cilin në këtë përzgjedhje e ndihmoi trofeu i tretë në Ligën e Kampionëve me Realin e Madridit. Strategu francez grumbulloi 296 pikë, duke lënë pas krahëve me një diferencë të madhe trajneri e skuadrës finaiste të Liverpullit, Jurgen Klop me 109 pikë, teksa me 4 pikë më pak në vendin e tretë u rendit Pep Guardiola.
Vetëm vendi i pestë për Masimiliano Allegrin e Juventus, ndërkohë Di Françesko i Romës u rendit i teti, pasi çoi Romën e tij në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Tek trajnerët e Kombëtareve, dukej e sigurt fitorja e Didie Deshamp, i cili udhëhoqi Francën e tij drejt trofeut të Kupës së Botës në Botërorin e këtij viti në Rusi. Në vendin e dytë, u rendit trajneri i Kombëtares kroate, Zlatko Daliç, teksa trajneri i kombëtares së Beklgjikës, Roberto Martinez u rendit i treti, duke plotësuar podiumin.