Kushtet klimatike jo të mira dhe shiu që ishte rënë gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, ka bërë që fusha e stadiumit të Çairit të mos ofrojë kushte të mira për lojë. Pikërisht edhe kësaj të fundit i frikësohet më së shumti kapiteni i ‘gjipspunuesve’, Fisnik Nuhiu, i cili thotë se të dyja skuadrat do ta kenë të vështirë në një fushë të këtillë dhe se skuadra që do të bëjë më pak gabime, do të mund të fitojë ndeshjen.
‘Ndeshje shumë e vështirë që do të zhvillohet në një fushë tepër të keqe për loë. Nuk mendoj se do ketë ndonjë ndeshje të bukur, por një luftë, ta quaj ashtu, përshkak të kushteve që ofron fusha në Çair dhe koha me shi. Duhet shumë angazhim dhe sa më pak gabime, sepse çdo gabim mund të kushtoj edhe humbje të pikëve’ – tha kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu.
Renova në ndeshjen e parë të këtij sezoni, falë golave të shënuar nga Fatjon Jusufi dhe Vllatko Stojanovski kishte shënuar fitore 2:0. Bazuar në ndeshjet e fundit në Çair, FC Shkupi, është favorit, pasi nga gjithsej 6 ndeshje ndaj Renovës, në 5 prej tyre ka dalë fitues.