Rastet kur futbollistët refuzojnë Shqipërinë dhe Kosovën për të luajtur me ekipe të mëdha si Zvicra, Italia apo Gjermania janë të shumta, por çuditërisht ka edhe raste kur këto ekipe refuzohen për Serbinë. Ky është rasti i mesfushorit të Lilës, Arton Zekaj i cili ka luajtur vazhdimisht me të rinjtë e Serbisë, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që ai luan për Serbinë, më shumë bie në sy zgjidhja që 18-vjeçari i jep kësaj situate. Ai nuk po grumbullohet më me Serbinë, por për të nuk ka asnjë problem duke qenë se ka marrë ftesë nga Kosova dhe në rast se Serbia nuk e do, atëherë mund të luajë për Kosovën. Këtë e ka pranuar vetë mesfushori në një intervistë për gazetën serbe “kurir.rs”.
“E kam ftesën nga Kosova dhe më kanë kërkuar që të luaj, por unë do të luaj për atë ekip që më do më shumë. Natyrisht që do të doja të vazhdoja aty ku e kam nisur, por nëse nuk më duan atëherë nuk kam se çfarë bëj.
Do të luaja për Serbinë. Kam lindur, jan rritur dhe kam luajtur me të gjitha grupmoshat. Prindërit e mi kanë lindur në Kosovë, por unë dua të luaj për Serbinë dhe nëse nuk më do Serbia, atëherë do të luaj për atë Kombëtare që më do”, u shpreh Zekaj. (VipSport.al)