Ish-kapiteni i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Lorik Cana, e ka uruar Kosovën për arritjen historike në futboll, promovimin në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe sigurimin e një vendi për në ndeshjen e ‘play-off’, përmes së cilës mund të sigurojë një vend për në Europianin e vitit 2020.
Cana përmes profilit të tij zyrtarë në Instagram kishte shkruar: “Një urim shumë të madh djemve DARDANË për fitoren, lojën dhe kualifikimin fantastik për gjysmë finalen. Një urim special Gramozit dhe familjes së legjendës tonë, Fadil Vokrrit, që të gjithëve na mungon”.
Fitorja e mbrëmshme 4:0 ndaj Azerbejxhanit i siguroi Kosovës një vend në gjysmëfinale të Ligës D, një rrugë tjetër kjo më e lehtë, për t’u kualifikuar në Kampionatin e ardhshëm Europian, si dhe promovimin në një nivel më të lartë, në Ligën C, të garës inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve.
Kosovën në marsin e vitit 2020 e pret një përballje shumë e fortë gjysmëfinale përballë Maqedonisë në Shkup.