Një deklaratë e çuditshme e arbitrit rumun, Istvan Kovaçsh, ka turbulluar disi situatën në Ligën e Kombeve. Arbitri 34-vjeçar, i premtoi 2 penallti sulmuesit të Suedisë në pushimin e ndeshjes ndaj Turqisë, të zhvilluar ditën e shtunë.
Gjithçka është zbuluar nga vetë futbollisti suedez, Markus Berg, i cili foli me arbitrin në pushimin e ndeshjes.
Berg i kishte kërkuar llogari atij për një episode të diskutueshme gjatë pjesës së parë, teksa pretendonte për 11-metërsh.
“Në pushim, shkova të flisja me arbitrin dhe të protestoja për një penallti që shkaktuan ndaj meje por të cilën ai nuk e sinjalizoi. U takuam në dhomat e xhveshjeve dhe i tregova pikëpamjen time dhe më bëri një premtim. ‘Do të shoh pamjet dhe nëse e kuptoj që kam bërë gabim në aksionin që pretendon ti, do të fal dy penalti në pjesën e dytë’”, – tregon sulmuesi Berg për mediat.
Si për ironi të fati, Suedia triumfoi me rezultatin 0:1 ndaj Turqisë pikërisht përmes një penaltie të ekzekutuar saktë nga Grankvist në minutën e 71-të.
Kaq ka mjaftuar që Federata Turke e Futbollit të fillojë ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore, duke kërkuar madje përsëritjen e ndeshjes.
Humbja ndaj Suedisë të shtunën la Turqinë në vendin e fundit, duke e dërguar automatikisht në Ligën C.