Mërgim Mavraj ishte një nga protagonistët negativë të paraqitjes katastrofike të Kombëtaresh shqiptare ndaj Skocisë, mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi”, ku kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-4.
Kapitenin e “tradhtuan” nervat në minutën e 24-t dhe reagoi keq ndaj kundërshtarit, veprim ky që u pasua me ndëshkimin e Mavrajt me karton të kuq, duke lënë Shqipërinë me 10 futbollistë.
Mbrojtësi me eksperiencë reagoi që mbrëmë, duke kërkuar ndjesë në intervistat e tij pas ndeshjes, ndërsa sot ka pasur një tjetër mesazh për t’u dërguar të gjithë shqiptarëve.
Kapiteni ka pranuar gabimin ka konfirmuar ndjesën publike ndaj shqiptarëve, por ka kërkuar që të mos vënë në dyshim dashurinë dhe respektin e tij për ngjyrat kuqezi të Kombëtares Shqiptare.
Ja mesazhi i plotë i Mavrajt:
E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim respektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra.
Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë atëherë mund të na mposhtë kushdo.
Me respekt, Mërgim Mavraj