Një super ndeshje dhe një super reklamë për Ligën e Kombeve. Kështu mund të vlerësohet takimi midis Anglisë dhe nënkampionëve të Botës, Kroacisë, ndeshje kjo që u mbyll vetëm pak çaste më parë. Kroacia avansoi e para në këtë përballje të zhvilluar në ‘Uembli’, mirëpo në fund ishte Anglia që shënoi fitore me rezultatin 2:1, duke vazhduar në këtë mënyrë rrugën e saj drejt ndeshjeve gjysmëfinale të kompeticionit më të ri të UEFA-s, Liga e Kombeve.
Pas pjesës së parë pa gola, kroatët avansuan me golin e Kramariç në minutën e 57-të, kur gjithçka bëri vetë në zonën kundërshtare, ndërsa Anglia u rizgjua vetëm më pas, kur me anë të Lingard arriti që të barazojë rezultatin në minutën e 78-të.
Anglia edhe përkundër këtij barazimi vazhdoi të shfaqet e rrezikshme dhe shumë kërkuese, ndërsa kjo dha rezultat në minutuën e 85-të, kur Hari Kejn edhe për herë të dytë shënoi në rrjetën e kroatëve, të cilët në këtë mënyrë e mbyllën aventurën e tyre në pozitën e tretë grupin 4 të Ligës A të Kombeve.
Ndryshe Anglia falë kësaj fitore siguroi pozitën e parë në renditje me 7 pikë dhe kualifikimin për në gjysmëfinale, duke i mohuar një gjë të tillë Spanjës, që në fund u rendit vetëm në pozitën e dytë me 6 pikë. Spanjollët shpresonin shumë në një barazim në këtë ndeshje, mirëpo në fund janë ‘Tre Luanët’ që vazhdojnë garat tutje në Ligën e Kombeve.