Juventus Serava ka shënuar edhe fitoren e 5-të sezonale pas 10 xhirove të kaluara në elitën e futsalit vendor, duke mundur të shtunën në mbrëmje si vendas ekipin e Astibos me rezultatin 8:3, njofton ‘infOSport.mk’.
Skuadra ‘bardhezi’ nga Serava në asnjë çast nuk vuri në diskutim fitoren në këtë përballje, ku një super paraqitje bëri dyshja Berat Ramadani dhe Samir Veliu, që realizuan nga një ‘hat-trik’, secili.
Një paraqitje tjetër të mirë me fanellën e Juventus Seravës bëri edhe talenti 18-vjeçar i kësaj skuadre, Furkan Shabani, që realizoi golin e 5-të sezonal, teksa një gol tjetër shtoi edhe Agim Ramadani.
Falë kësaj fitore Juventus Serava tashmë numëron 15 pikë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 5-të, ndërkohë Astibo vazhdon të rrëshqet dhe tashmë ndodhet një pozitë më poshtë se skuadra shkupjane nga Serava.