Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë i ka mbyllur përgatitjet për sfidën e parafundit të grupeve në Ligën e Kombeve dhe tashmë e gatshme pret përballjen e të premtes me Lihteshtajnin, në Vaduz. Ekipi përfaqësues 3 ditë punoi në një fshat të vogël zviceran në afërsi të Sent Gallenit, ndërsa sot u transferua në Vaduz ku zhvilloi seancën e fundit stërvitore.
Atmosfera në grup paralajmëron paraqitje pozitive për tu afruar një hap pranë realizimit të objektivit për të siguruar pozitën e parë në grup dhe njëkohësisht për tu rikthyer në rrugën e suksesit. Humbja nga Armenia në takimin e fundit ndëpreu serinë e Maqedonisë prej 10 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa tashmë futbollistët duken të etur për start të një tjetër varg suksesesh që mund të çojnë reprezentacionin pranë suksesit historik, gjegjësisht kampionatit evropian.
Gjithsesi stafi teknik dhe vet lojtarët nuk ngarkojnë veten me atë se çka mund të ndodhë në të ardhmen dhe në këtë moment gjithë vëmendja është drejtuar për fitore kundër Lihteshtajnit, ndeshje kjo që do të luhet në Vaduz të premten nga ora 20:45.