KB Shkupi nuk e ka nisur mirë sezonin në elitën e basketbollit vendor, duke u përballur me probleme të shumta me Federatën e Basketbollit të Maqedonisë, mirëpo trajneri i “bardhebluve” Enver Miftari ka sqaruar për mediat se kanë tejkaluar çdo pengesë dhe do të vazhdojnë të garojnë në mesin e më të fortëve të këtij sporti në vend.
“Edhe pse kishte pengesa për të filluar dhe për të vazhduar në Ligën e Parë, bordi i KB Shkupi edhe njëherë bëri me dije se s’ka forcë që ndal klubin e zemrës, ‘ushtrinë’ bardheblu. Deri sa dikujt ndoshta i pengon të luhet basketboll në Çair ju kundërpërgjigjemi se basketbolli, KB Shkupi, do të luaj dhe do të jetoj sa malet. 350 fëmijë janë ‘ushtria’ më e mirë e KB Shkupi me dy ekipe të vajzave si dhe të meshkujve në Ligën e parë është i vetmi klub në Maqedoni, ndoshta me pak mjete finansiare, por me zemër dhe dëshir një ditë shumë shpejt ky klub i zemrës do të dominojë në basketbollin në Maqedoni”, ka thënë për mediat trajneri i KB Shkupi, Enver Miftari.