Dy skuadrat nga Strumica, Akademia Pandev dhe Bellasica kanë shënuar fitore me nga dy gola epërsi në përballjet e para të ¼ së finales së Kupës së Maqedonisë, teksa Makedonija GJ.P mundi minimalisht 1:0 Rabotniçkin, duke lënë gjithçka hapur për ndeshjen e kthimit.
Akademia Pandev në terren vendas mundi Korabin e Ligës së Dytë – Perëndim me rezultatin 3:1. Skuadra dibrane bëri një paraqitje të mirë në këtë ndeshje, në të cilën golin e vetëm e realizoi Ujkan Muça (40’), kur ngushtoi epërsinë e vendasve në 2:1, pasi paraprakisht Filip Mihajllov (7’) dhe Sashko Pandev (34’) kishin shënuar për Akademia Pandev, skuadër kjo që në pjesën e dytë përmes kapitenit Lupço Doriev shënoi edhe golin e tretë, duke krijuar sërish epërsinë e dy golave, me të cilët do të startojnë në ndeshjen e kthimit në Dibër.
Dy gola epërsi do të ketë edhe Bellasica, që sot si mysfair në Kratovë mundi Sileksin me rezultatin 2:0. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa vetëm pas 13 minutave lojë në pjesën e dytë Stefan Sulev kaloi në epërsi Bellasicën, te e cila skuadër në këtë pjesë në lojë u inkuadrua edhe dyshja sulmuese Ivanovski dhe Baldovaliev, me këtë të fundit i cili në minutën e 76-të vendosi rezultatin e këtij takimi, Sileksi 0, Bellasica 2.
Për dallim nga A. Pandev dhe Bellasica, skuadra e Makedonija Gj.P ndeshjen e kthimit ndaj Rabotniçkit do ta pret me vetëm një gol epërsi.
Një gol i brazilianit Robson da Silva në minutën e 48-të ishte i vetmi i shënuar në këtë takim, në të cilin vendasit shumë lehtë mund të ndodhte që të shënonin edhe golin e dytë me anë të Tanturovskit, goditja e të cilit megjithatë u ndal në shtyllë.
Ndeshjet e kthimit të ¼ së finales në program janë me datë 5 dhjetor. (Foto: ekipa.mk)
Kupa e Maqedonisë | ||
Ndeshjet e para çerekfinale | ||
A. Pandev | 3 : 1 | Korabi |
Makedonija Gj.P | 1 : 0 | Rabotniçki |
Shkëndija | 0 : 1 | Pobeda |
Sileksi | 0 : 2 | Bellasica |