Atë që e paralajmëruam gjatë ditës së djeshme, u bë realitet sot. Jeton Beqiri edhe zyrtarisht ka marrë drejtimin e skuadrës së Struga Trim Lum, që shihet si një ndër skuadrat pretendente për titullin e kampionit në Ligën e Dytë – Perëndim dhe për inkuadrim në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, njofton ‘infOSport.mk’.
Strategu tetovar me ekipin strugan ka nënshkruar kontratë 6 mujore, me opcion për të vazhduar atë në fund të sezonit, gjithnjë nëse Struga Trim Lum i’a arrinë qëllimit që të jetë pjesë e Ligës së Parë Futbollistike.
Jeton Beqiri në mungesë të presidentit Arbtrim Qyra, i cili ndodhet jashtë vendit, para futbollistëve të Struga Trim Lum u prezantua nga ana e drejtorit sportiv Besart Isaku, që më pas të zhvillojë edhe stërvitjen e parë me ekipin e tij të ri.
Rikujtojmë Jeton Beqiri sezonin e ri e nisi në krye të skuadrës së Renovës, mirëpo shkaku i mungesës së rezultateve ai vendosi të largohet nga skuadra ‘bardhekaltër’, ndërsa gjatë karrierës së tij ai kishte drejtuar ekipin U19 të Shkëndijës, Dritën e Bogovinës, Gostivarin, Shkëndijën në dy raste, (një herë pasi u shkarkua Ardian Kozniku dhe së dyti pas largimit të Bruno Akrapoviçit), ndërsa gjithashtu kishte luajtur rolin e ndihmës trajnerit të Shpëtim Duros në dy periudha të ndryshme te Shkëndija, por gjithashtu edhe te Flamurtari i Vlorës, transmeton ‘infOSport.mk’.
Beqiri në postin e trajnerit te Struga Trim Lum do të zëvendësojë Aleksandar Tançeski, i cili ishte shkarkuar të martën e kaluar, ndërsa në ndeshjen e fundit ndaj Teteksit në Tetovë skuadrën e udhëhoqi ndihmësi Meriton Gega.
Beqiri debutimin e tij në bankinën e Struga Trim Lum do ta ketë ditën e diel në ndeshjen ndaj Pelisterit.