Kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu është i brengosur që skuadra e tij në ndeshjet e fundit nuk po i shfrytëzon rastet përballë kundërshtarëve në ndeshjet kampionale. Edhe pse skuadra e tij krijon raste, të njëjtat nuk shfrytëzohen në maksimum, ndërsa kjo ka bërë që Renova të mos jetë në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit.
‘Do ta kemi të vështirë, pasi po shihet se në çdo ndeshje kemi vështirësi për të fituar ndeshjet. Krijojmë shumë raste, por nuk shënojmë. Shpresojmë që kundër Makedonija GJ.P të shënojmë dhe të fitojmë edhe pse fusha nuk është ideale për futboll, por patjetër e kemi të jemi shumë vigjilent dhe të angazhuar, pasi na nevojiten pikët” – tha kapiteni i ‘gjipspunuesve’, Fisnik Nuhiu.
Ishte pikërisht kapiteni Nuhiu që kishte shënuar gol në ndeshjen e fundit ndaj Makedonija Gj.P, por që nuk i kishte mjaftuar Renovës, pasi në fund në Tetovë kishte barazuar 1:1. Vetë Nuhiu shpreson që kësaj rradhe të mos ndodhë ashtu dhe se ka shumë pak rëndësi kush shënon, pasi më e rëndësishme është që Renova nga kjo transfertë të rikthehet me fitore.