Java e 13-të në elitën e futbollit vendor sjellë përballjen midis dy ekipeve shqiptare, Shkëndijës dhe FC Shkupit. Që të dyja skuadrat në këtë ndeshje futen pas fitoreve ndaj skuadrave nga Strumica fundjavën që lamë pas. Shkëndija në Strumicë mundi Bellasicën, teksa FC Shkupi në Çair mundi Akademia Pandevin. Pikërisht pas kësaj fitoreje Muharem Bajrami i FC Shkupit thotë se atmosfera në skuadër është shumë e mirë, duke shpresuar njëkohësisht që do të lidhin dy ndeshje me rezultat pozitiv.
“Na pret ndeshje mjaft e fortë kundër kampionit aktual, Shkëndijës. Edhe ne kemi ambiciet tona në këtë ndeshje. Pas fitores kundër Akademia Pandevit, atmosfera në klubin tonë është në nivel të lartë dhe presim në atmosferë pozitivë edhe ndeshjen me Shkëndijën. Sigurisht se edhe ne kemi vështirësitë tona, sepse kemi 5 mungesa, tre kanë lëndime dhe 2 janë me kartona të verdhë. Sidoqoftë, ne duhet të përgatitemi që të japim maksimumin dhe pas ndeshjes me Akademia Pandev të lidhim dy ndeshje me rezultat pozitiv. Per ne rezultat pozitiv do të ishte edhe barazimi që, duke ditur se Shkëndija është një ekip që tri vitet e fundit luan me të njëjtën përbërje”, – është shprehur Bajrami për sajtin zyrtarë të klubit.
Ndeshja Shkëndija – FC Shkupi zhvillohet në stadiumin e qytetit të Tetovës me fillim në ora 13:30.