A ka kush e ndal Futsal Shkupin! 8 ndeshje, 8 fitore për bardhekaltërit nga Çairi

Futsal Shkupi ka regjistruar edhe fitoren e 8-të nga po aq ndeshje të zhvilluara në elitën e futsalit vendor, njofton ‘infOSport.mk’.

Skuadra nga Çairi sonte në Shtip mundi ekipin e Astibos, duke konfirmuar për momentin se nuk kanë kundërshtarë të denjtë në ligën e parë të futsalit. 6:4 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi, ndërsa fitoren e skuadrës shkupjane e paralajmëroi Nikolla Dimovski në minutën e 9-të.

Nuk vonoi shumë dhe vetëm një minutë më pas Ismet Ceka dyfishoi rezultatin për ekipin bardhekaltër, që pjesën e parë e mbylli me rezultatin 3:1 pas golit  shënuar nga Eroll Dalip në minutën e 16-të. Autorë i golit të vetëm për vendasit në këtë pjesë ishte Ivan Nikollovski (19′).

Pjesa e dytë doli të jetë e barabartë (3:3), ndërsa vendimtarë në fitoren e 8-të të Futsal Shkupit ishin dy golat e shënuar nga Eroll Dalip (23′) dhe Bejtulla Jakupi (28′) në 8 minutat e para të pjesës së dytë, kur bënë që Shkupi të avansojë me rezultatin 5:1.

Vendasit tentuan të rikthehen në lojë me dy gola të njëpasnjëshëm  përmes Josif Jovanov (30′) dhe Jovica Markovski (32′), duke ngushtuar epërsinë e ‘bardhekaltërve’ në 3:5, ndërsa shpresat e vendasve i shuajti lojtari më i mirë i Futsal Shkupit në këtë ndeshje, Eroll Dalip, me golin e tij të tretë personal në minutën e 36-të.

Deri në fund gjithçka që mundën të bëjnë vendasit ishte goli i katërt i shënuar me anë të Marian Zashkov një minutë para fundit të takimit, por që në fund vlejti vetëm për statistikë.

Në fund fitore më se e merituar e Futsal Shkupit, që në këtë mënyrë vazhdon të kryesojë tabelën bindshëm para rivalit kryesor, Velesit.

Futsal Shkupi ka 24 pikë, 8 më shumë se Velesi, që ka edhe një ndeshje më pak.

 

Leave a Reply