Nehar Sadiki edhe pse luan në repartin e mbrojtjes ai gjatë këtij sezoni në 8 ndeshje sa ka qenë prezent në fushë, ka shënuar 3 gola, njofton “infOSport.mk”.
Mbi të gjitha të tre golat i ka shënuar në ndeshje derbi, ndaj skuadrave si Shkëndija, Renova dhe së fundmi Vardari.
I pyetur nga portali ynë, nëse do i shënonte edhe nesër Shkëndijës, Sadiki me përgjigje: “Do të ishte një plus shumë i madh për mua, me siguri. Do të doja të shënoja, mirëpo them që këtë herë nuk ka rëndësi kush shënon, me rëndësi është që nga Tetova të kthehemi me rezultat pozitiv”.
Vlen të përmendet se në të tre ndeshjet, në të cilat Sadiki ka shënuar gola, “romantikët” në asnjërën prej tyre nuk kanë mundur të shënojnë fitore.
Goli i tij ndaj Shkëndijës kishte qenë i vetmi, pasi në atë ndeshje të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Shkup, Rabotniçki kishte pësuar disfatë me rezultatin 3:1, ndërkohë golat e tij në ndeshjet ndaj Renovës dhe Vardarit ndihmuan “romantikët” për të barazuar ndaj skuadrave respektive.
“E dimë që Shkëndija është një kundërshtarë i fortë, mirëpo ne në Tetovë do të shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv, për të siguruar sa më shpejt që është e mundur Evropën” – u shpreh futbollisti kumanovar i Rabotniçkit, Nehar Sadiki.
Ndeshja Shkëndija – Rabotniçki zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, dhe njëjtë sikurse të gjitha ndeshjet tjera të javës së 34-të, edhe kjo do të startojë në ora 16:30.