Vetëm pak ditë pas ngjarjes tronditëse, ku u rrëzua helikopteri i pronarit të Leicesterit Vichai Srivaddhanaprabha, dhe humbi jetën ky i fundit, bashkë me 4 persona të tjerë që ndodheshin në bord, ka reaguar edhe djali i tij.
Ai ka postuar një letër, për të shprehur momentin e vështirë që ai dhe familja e tij po kalojnë këto ditë, ndërsa ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe ka premtuar të vijojë me projektet e të atit.
“Dua t’ju falënderoj të gjithëve nga thellësia e zemrës, për mbështetjet e jashtëzakonshme që na keni dhënë në këto ditë. Ajo që ndodhi, më bëri të kuptoj se sa i rëndësishëm ishte babai im, për kaq shumë njerëz në botë dhe jam prekur jashtëzakonisht se sa shumë njerëz e mbajnë në zemër atë. Jam jashtëzakonisht krenar, që kam baba një njeri të tillë. Nga ai kam trashëguar misionin e madh për të vazhduar përpara dhe këtë kam ndërmend të bëj. Jam i sigurt se do të marr mbështetjen e nevojshme nga të gjithë ju, për të përfunduar misionin e tim ati, ndaj ju jam shumë mirënjohës për mesazhet dhe fjalët e ngrohta në këto ditë të vështira. Babai më ka mësuar të jem i fortë dhe të kujdesem për familjen. Ai mi mësoi gjërat nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe nuk mi bëri të dukeshin si leksione të lodhshme. Ai ishte mentori dhe modeli im në jetë. Sot më ka lënë këtë trashëgimi dhe do të bëj gjithçka me të njëjtën fuqi si ai, për të çuar përpara vizionin dhe ëndrrat e tij. Familja ime dhe unë duam t’ju falënderojmë edhe njëherë të gjithëve, për fjalët e ngrohta dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë këtyre ditëve. Më mungon baba”, shkroi djali i bosit të Leicesterit.