Julen Lopetegi nuk është më trajneri i Real Madridit. Këta të fundit edhe zyrtarisht përmes një komunikate për shtyp njoftuan se kanë shkarkuar Lopetegin nga posti i shefit të stafit teknik, për shkak të rezultateve të dobëta në sezonin e ri të La Ligas.
Por, ajo që pritej nga tifozët e Realit nuk u realizua, pasi Antonio Konte nuk do të jetë zëvendësuesi i Lopetegit, pasi tekniku italian nuk ka arritur marrëveshje me Florentino Perezin dhe pasditen e sotme ka ndërprerë bisedimet për të marrë drejtimin e “Los Blankosve”. Sipas mediave britanike thuhet se Konte e Perez nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët sa i përket pagës.
Gjithsesi Reali ka vendosur që stolin t’ia besojë ish yllit të tyre Santago Sollari. Tekniku i ri që deri më tani ka udhëhequr ekipin e dytë të Realit, do të debutojë me ekipin ‘A’ të Madridit të mërkurën në ndeshjen e Kupës kundër Melila.