Java e 34 në LPFM, e gjithë vëmendja në Çair dhe Prilep

E diela na sjellë ndeshjet e javës së 34-të në elitën e futbollit vendor, ndërsa e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në Çair dhe Prilep, ku 4 skuadrat e fundit në tabelë do të diskutojnë për mbijetesën, me favoritët Shkupin dhe Pobedën, njofton “infOSport.mk”.

Të përzgjedhurit e trajnerit Ardian Nuhiu do të mirëpresin Bregallnicën, skuadër kjo e cila sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Dytë, por edhe ndaj së cilës “bardhekaltërit” do të kërkojnë fitoren e parë këtë edicion.

Në tre ndeshjet e deritanishme mes tyre Bregallnica ka shënuar dy fitore, ndërsa ndeshja e vetme në Çair ishte mbyllur me barazimin 1:1.

Mirëpo kësaj rradhe Shkupit i nevojitet vetëm fitorja, pasi në të kundërtën kjo skuadër do të duheshe të pajtohet me pozitën e 8-të në renditje dhe mbijetesën në elitë ta kërkojë përmes ndeshjes së balotazhit ndaj Novacit.

Në stadiumin e “Mogilla” Pobeda që në tre ndeshjet e fundit ka shënuar po aq fitore, shpreson se me ritmin e njëjtë do të vazhdojë edhe ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, skuadër kjo e cila vetëm pas një viti në mesin e më të mirëve, do të duhet sërish të rikthehet në Ligën e Dytë.

Shkëndija pas dështimit në finalen e Kupës, mirëpo me një vend të sigurtë në Liga Evropa do të mirëpret Rabotniçkin, që shpreson se pikërisht në Tetovë do të marrë vizën për në Evropë, në “Telekom Arena”, Vardari dhe Renova pritet të na dhurojnë një spektakël, duke pasur parasysh se të dyja skuadrat do të luajnë pa asnjë ngarkesë, ndërsa e tillë pritet të jetë edhe ndeshja në Kratovë midis Sileksit dhe fituesit të Kupës, Pelisterit.

Liga e Parë Futbollistike e Maqedonisë
Java 34
Pobeda 21.05. 16:30 Makedonija Gj.P
Shkëndija 21.05. 16:30 Rabotniçki
Shkupi 21.05. 16:30 Bregallnica
Sileksi 21.05. 16:30 Pelisteri
Vardari 21.05. 16:30 Renova

Leave a Reply