Pas përfundimit të takimit me Barcelonën, ku u mundën 5:1, trajneri i Real Madridit Hulen Lopetegi foli para gazetarëve. Numri një i stolit të madrilenëve tha se ishte një disfatë shumë e rëndë, por ekipi i tij ka forcë për tu rikthyer në rezultate të mira.
“Kishim kohë dhe mundësi për të përmbysur rezultatin. Patëm shanse të pastra për të barazuar rezultatin, por nuk ishte e thënë. Në pjesën e parë ata luajtën më mirë se ne, megjithëse nuk patën shumë raste për gol. Përgjegjësitë teknike bien gjithmonë mbi trajnerin. Por në fund humbim bashkë dhe fitojmë bashkë. Jam i bindur se në fund të sezonit në Madrid do të ketë festë. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të insistojmë deri në fund. Jemi të mërzitur, por është vetëm muaji tetor. Asgjë nuk është e pariparueshme, pasi kemi plot kohë dhe fuqi për të bërë kthesën si ekip. Rezultati nuk reflekton realitetin e ndeshjes, kishim raste për të barazuar takimin, por Suarez çoi ndeshjen në 3-1 gjithçka mbaroi”, përfundoi tekniku i bask.