FC Shkupi në xhiron e 11-të të Ligës së Parë të Maqedonisë do të luajë me Pobedën e Prilepit në transfertë. Pas fitores me Sileksin, te skuadra e Shkupit mbizotron atmosferë pozitive, me teknikun turk Umit Karan që dalë ngadalë po kompleton ekipin.
Për ndeshjen me Pobedën, për kanalin zyrtar të FC Shkupit është prononcuar Besart Krivanjeva.
“Më gëzon fakti se kalova me sukses lëndimin dhe tani më dy javë po punoj me ekipin. Kemi punuar intensivisht edhe gjatë kësaj jave, ndërsa fitorja e fundit vetëm sa e ka ngritur atmosferën, e cila edhe ashtu ishte shumë pozitive me ardhjen e trajnerit Umit Karan. Pres që të fitoj besimin e trajnerit që në ndeshjet e ardhshme edhe unë ta ndihmoj ekipin. Për ndeshjen e të dielës mendoj se nuk do të jetë aspak lehtë, Pobeda këtë kampionat është më e fortë se e vitit të kaluar, ndërsa secili nga futbollistët tanë që do të futet në lojë, do të jep maksimumin për rezultat pozitiv”, ka thënë Krivanjeva.
Pobeda-Shkupi luhet nesër në stadiumin “Tumbe Kafe’ në Manastir, duke nisur nga ora 13:30.