Steven Zhang, djali i Jindong Zhang, pronarit të madh të Suning, do të jetë presidenti i ri i Interit dhe njëkohësisht më i riu në historinë e klubit italian.
26-vjeçari qëndron prej dy vitesh në Milano dhe ka punuar pranë klubit zikaltër, duke ndarë një pjesë të madhe të përgjegjësisë, ndonëse president de Juro ka qenë indoneziani Eric Thohir.
Në deklaratën e tij të parë si president i zikaltërve, Steven Zhang foli për planet afatgjata të Suning me klubin zikaltër, por edhe synimin për të ngjitur Interin në majën e botës.
Jeni presidenti më i ri në historinë e Interit. Mendoni se kjo mund t’ju penalizojë?
Nuk mendoj se do më penalizojë, pasi kam dy vite që punoj bashkë me drejtuesit këtu dhe e kam njohur tashmë mirë ambientin dhe mënyrën se si funksionon drejtimi i një skuadre futbolli. Ecuria e këtyre dy viteve ka edhe firmën time, që është edhe një garanci për të ardhmen e klubit, gjatë kohës që do jem si president.
Mendoni se do të mbani gjatë këtë pozicion?
Nuk di të them a do jem president i Interit edhe pas 30 vitesh, por di të them që synimi ynë është që edhe pas 100 vitesh, president të jetë një Zhang. Ne kemi një projekt afatgjatë me klubin zikaltër dhe synojmë ta çojmë në majën e botës, por duke krijuar baza solide. Kemi kuptuar se është një klub me histori të madhe dhe që dashurohet nga tifozët, ndaj po investojmë që ta çojmë aty ku ky emër e meriton të qëndrojë.
Keni arritur marrëveshje me Marottën?
Më vjen mirë që emra të tillë të mëdhenj, përfliten si afrime të mundshme të Interit, pasi do të thotë që jemi një klub i vlerësuar nga të gjithë, madje edhe nga më të mirët. Synimi ynë është që të sjellim më të mirët, si sa i përket futbollistëve, ashtu edhe drejtuesve që punojnë jashtë fushës së blertë, nga zyrat. Do të isha i lumtur të merrnim Marottën, por për momentin mund t’u konfirmoj se nuk kemi arritur asnjë marrëveshje me personin në fjalë.
Më mirë një stadium, apo dy stadium në Milano?
Mua më pëlqen që të mbajmë vetëm një stadium, pasi bëhet fjalë për një emër mitik dhe për më tepër, Interi dhe Milani do të ndanin kostot operative të mirëmbajtjes së këtij impianti. Do të ulemi me drejtuesit e Milanit, për të biseduar në lidhje me rikonstruksionin dhe modernizimin total të “San Siros”, pasi kjo është një punë që nuk pret. Nëse nuk arrijmë marrëveshje, atëherë do të shikojmë mundësinë e dytë, që është një stadium i personalizuar.
A mund të presin tifozët zikaltër ndonjë emër të madh nga merkatoja e ardhshme?
Ne synojmë nga viti në vit, që të përforcojmë skuadrën, por duhet të kemi parasysh që nevojitet një farë kohe, për t’u ringritur në majë. Përtej problemeve me Fair Play-n e UEFA-s, ne kemi investuar në mënyrë të kontrolluar dhe kemi krijuar një skuadër solide, që lufton deri në sekondat e fundit. Natyrisht që ka nevojë për përmirësime, por gjithçka do të bëhet hap pas hapi.