Mungonte vetëm zyrtarizimi, ndërsa prej sot është bërë fakt. Steven Zhang është presidenti i ri i Interit duke pasuar në këtë detyrë indonezian Erik Thohir, post të cilin ky i fundit e mbante që nga nëntori i vitit 2013-të.
Steven Zhang bëhet kështu presidenti më i ri në historinë e Interit pasi është vetëm 26 vjeç.
Që nga momenti që kinezët e ‘Suning Group’ blenë nga Thohir 69% të aksioneve të Interit, djali i pronarit të klubit Zhang Jindong ka qëndruar gjithmonë në Milano duke ndjekur me interes të gjithë aktualitetin ‘zikaltër’ dhe duke mbështetur skuadrën me praninë e tij në stadiume përkrah zëvendës-presidentit, Havier Zaneti.
Interi nën udhëheqjen e pronarëve kinezë ka filluar të ringrihet dhe financat e klubit janë në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, kurse këtë sezon ‘zikaltërit’ janë kthyer edhe në Ligën e Kampionëve, kompeticion në të cilin mungonin që nga viti 2012-të.