Lojtari i ekipit të futsalit, Veles, Ferid Agushi do të mungojë në ndeshjen më të rëndësishme të skuadrës së tij këtë edicion, atë kundër Futsal Shkupit, njofton “infOSport.mk”.
Agushi në ndeshjen e javës së fundit ndaj Zhelezarecit u ndëshkua me karton të kuq, ashtu që nuk do të ketë të drejtë loje në ndeshjen vendimtare kundër Shkupit, ndeshje kjo që në program është të shtunën (20 maj).
“Po e vërtetë është që nuk do të luaj ndaj Shkupit për shkak kartoni të kuq të marrë në ndeshjen me Zhelezarecin. Siç shihet nga video materiali në atë aksion kishte ndërhyrje të palejuar ndaj meje, mirëpo arbitri nuk referoi një gjë tillë, derisa në vazhdim të aksionit referon ndërhyrje të palejuar ndaj kundërshtarit, ndërsa në shenjë proteste nga ana ime për këtë padrejtësi, ai më ndëshkoi me karton të kuq. Është kjo absurde, me një fjalë kriminal, por nuk ka kthim mbrapa” – tha Agushi, duke potencuar se cila do skuadër që do e fitoj titullin e kampionit, do të jetë me meritë.
Përveç Agushit në këtë ndeshje te Velesi do të mungojë edhe Dragan Petroviç, një ndër futbollistët më të mirë të futbollit në palestër. Në anën tjetër te Shkupi nuk ka lojtarë të dënuar apo të lënduar, ashtu që “bardhekaltërit” do dalin me formacionin më të mirë.
Super ndeshja Shkupi – Velesi në program është të shtunën në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava me fillim në ora 20:00.