Te Real Madridi duket se nuk ka qetësi. Trajneri Lopetegi duhet që të bëjë ende shumë punë për të kthyer qetësinë në klub, pasi skuadra po vuan të arrijë rezultatet pozitive.
Drejtuesit e klubit madrilen janë duke shikuar alternativat në rast të shkarkimit të spanjollit, i cili ka vetëm 4 muaj në krye të “mbretërve”.
Emri i cili pëlqehet së tepërmi te madirlenët është ai i Mauricio Poçetinos. Trajneri i Totenhamit shikohej si njeriu ideal për të zëvendësuar Zinedine Zidanen pas largimit në verë, por ai refuzoi të transferohej dhe zgjodhi të rinovonte për 5 vite të tjera me “Spërsat”, ku përfiton 8.5 milionë sterlina në një sezon. Sigurisht që kjo e mërziti Realin, që më pas zgjodhi trajnerin e Spanjës, duke shkaktuar tërmet edhe brenda kombëtares me lajmërimin për marrëveshjen me të.
Por aktualisht, klubi anglez nuk po ecën mirë. Spanjollët shpresojnë në eliminimin e shpejtë të tyre në Ligën e Kampionëve, që mund të shkaktojë edhe largimin e Poçetinos.
Nëse kjo nuk arrihet, atëherë favoriti për t’u ulur në stolin madrilen është italiani Antonio Konte. Reali është gati që të paguajë 40 milionë euro për shërbimet e italianit, i cili së fundmi udhëhoqi Çelzin.
Ndërkohë një detaj interesant është bërë publik së fundmi. Në takimin ndaj Viktoria Plzenit, që spanjollët e fituan 2-1, u desh që zyrtarët e tjerë të Realit, të bindnin presidentin Perez që mos ta shkarkonte Lopetegin.
Numri një i klubit u inatos me performancën dhe doli nga tribuna i mllefosur me qëllimin për ta larguar teknikun. Por më pas ndërroi mendje, mirëpo gjithsesi, Lopetegi ndodhet në fije të perit.