Futbollisti shqiptar në radhët e Liverpullit, Xherdan Shaqiri, ka pasur një paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e mbrëmshme kundër Crvena Zvezdës, e vlefshme për ndeshjet e xhiros së tretë të grupit C në Ligën e Kampionëve Europian, në të cilën skuadra e tij në fund shënoi fitore të thellë 4:0.
Falë kësaj fitore skuadra angleze ka arritur që të marrë kreun e tabelës, kjo falë edhe barazimit midis Paris Sen Zhermenit dhe Napolit në ‘Parkun e Princërve’.
Pas ndeshjes trajner Jurgen Klopp e ka lavdëruar futbollistin shqiptar, i cili asistoi në golin e parë të Mohamed Sallah, ndërsa gjithashtu luajti një rol shumë të madh edhe në shënimin e golit të parë nga ana e Firminjos.
‘Shaqiri ishte i përfshirë në shumë gjëra të kësaj ndeshjeje. Ai ishte vendimtar. Në rastin e golit të parë, ai e fitoi topin dhe dha një pasim fantastik për Robbon (Andrew Robertson). Në golin e dytë, unë nuk e di se si e pasoi atë top për Mohamed Salah, por ishte sërish Shaqiri. Ai është një futbollist me të vërtetë i këndshëm, që po na ndihmon në këto lojëra”, – ka theksuar Klop.
Tutje trajneri i Liverpullit i është përgjigjur pyetjes nëse ka ende punë për të bërë për të siguruar kualifikimin, duke thënë se këtë gjë nuk mund ta konfirmojë përpara ndeshjes së kthimit kundër serbëve pas dy javëve.
‘Unë nuk e di kush është i dyti, por kam dëgjuar se Napoli dhe PSZH kanë barazuar 2:2. Mund ta imagjinoj se ishte një ndeshje shumë e hapur në Paris. Do të jetë një rivalitet emocionues, sepse ky grup është i vështirë për të gjithë ne. Duhet të punojnë fort çdo ditë dhe shpresojmë se do të jemi gati për dy javë, kur të luajmë sfidën e kthimit me Crvena Zvezda”.