E pabesueshme ajo që ndodh në Itali. Dukej sikur futbollit i katër herë kampionëve të botës do të niste rindërtimin dhe zgjedhja e presidentit Gravina në krye të federatës çonte në këtë drejtim. Por, ka ndodhur e papritura e madhe.
Serie B (por, si reflektim, edhe Serie C) 2018-2019 vazhdon që të mos ketë paqe: kërkesa e prezantuar nga klubi i Ternanas, të cilës i janë bashkangjitur edhe Siena, Novara dhe Pro Vercelli, kundër formatit me 19 skuadra, është pranuar nga TAR.
Pezullohet kështu prononcimi i Gjykatës së Federatës Kombëtare që reduktonte numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Serie B nga 22 në 19, duke bllokuar “ripeshkimet”, pra ngjitjen e ekipeve që kishin rënë në Serie C sezonin e shkuar: tani, federata italiane e futbollit duhet të rikthejë në Serie B skuadrën e Ternanës, që ka luajtur pesë ndeshje në Serie C.
Të njëjtin fat duhet të kenë edhe skuadrat e tjera që kanë prezantuar apel, duke rikthyer formatin me 12 skuadra. Ajo që është më e pabesueshmja ka të bëjë me datën kur pritet vendimi përfundimtar: 26 mars 2019. Pikërisht Gravina, i sapozgjedhur në krye të Federatës Italiane të Futbollit, nuk do të shkojë kundër vendimit të Arbitrazhit Sportiv. Por, Lega e Serie B mund të kundërshtojë këtë vendim dhe të bllokojë gjithçka.
Pra, çfarë skenarësh priten tashmë? Me sezonin që sapo ka nisur dhe kalendarët e përpiluar, rikthimi me 22 skuadra është në kufij të të pamundurës por, duke qëndruar me 19, duhet të kryhet një maksi-shpërblim për “dëmet e pësuara” në përfitim dhe imazh nga ekipet që kanë apeluar dhe sot luajnë në kategorinë e tretë, pra Serie C, kur duhet të ishin në B, sipas formatit prej 22 ekipesh dhe jo 19.
Me rikthimin e 22 ekipeve, tre nga të cilat apelues (duhet të kujtojmë edhe Katania), do të ktheheshin në Serie B me përjashtim të dy të tjerave: duhet stabilizuar edhe kriteri për “ripeshkim”. Jo vetëm, por do të mbetej pezull edhe çështja “Virtus Entella”, që do të krijonte edhe më shumë kaos dhe rrëmujë.
Pas vendimit të Arbitrazhit Sportiv të Lacios, pezullohen ndeshjet e Serie C të ditës së mërkurë, që ishin për t’u rikuperuar: Pontendera-Novara, Pro Piacenca-Siena dhe Pro Vercelli-Piacenza (grupi A) dhe Ternana-Rimini (grupi B).