Nikolla Ilievski –Xhixhi nuk ka bërë një debutim të mirë në bankinën e Renovës, pasi kjo skuadër sot në Tetovë u mund nga Rabotniçki, te e cila skuadër në këtë mënyrë me fitore debutoi homologu i tij, Zhikica Tasevski, njofton ‘infOSport.mk’.
Skuadra shkupjane shënoi fitore 0:2, duke iu hakmarrë në këtë mënyrë Renovës për atë disfatë në ndeshjen e parë në Shkup (3:4).
Ostoja Stjepanoviç, njëjtë sikurse në ndeshjen e parë, ashtu edhe sot në Tetovë shënoi gol nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhit Rabotniçkit në minutën e 26-të, ndërsa i njëjti futbollistë për shkak kartonit të dytë të verdhë në minutën e 77-të ishte i detyruar që ta lëshojë fushën.
Mirëpo edhe epërsisë numerike në fushë, Renova nuk arriti që të paktën të gjejë golin e barazimit, ndërsa në momentet kur ‘gjipspunuesit’ me të gjitha forcat kërkonin golin e barazimit, rezervisti Dushan Steviç në minutën e 94-të shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Kobetiç, duke i siguruar fitoren e katërt skuadrës së tij këtë edicion. Vlen të ceket se nga minuta e parë te Rabotniçki luajti talenti shkupjan, Lavdrim Fazliu, i cili u zëvendësua vetëm në minutën e 82-të, kur Zhikica Tasevski vendosi që në lojë të inkuadrojë sulmuesin Nedeljkoviç.
Me këtë fitore Rabotniçki tashmë numëron 14 pikë dhe renditet në pozitën e katërt, ndërkohë Renova me 11 pikë mban pozitën e 7-të.