Bajerni i Munihut për sot kishte njoftuar zhvillimin e një konference të jashtëzakonshme për shtyp në orën 12:00, duke lënë ankth tifozët se mund të kishte ndryshime në drejtim, deri në shkarkimin e trajnerit Niko Kovaç, por në fakt nuk ndodhi asgjë.
Ishte pikërisht strategu kroat që foli i pari në këtë konferencë, duke analizuar momentin e vështirë që po kalon skuadra e tij.
“Ndeshjet e fundit nuk kanë qenë më të këqija se ati të fillimit të sezonit. Pashë një skuadër që impenjohej ndaj Gladbahut. Sigurisht që rezultatet e fundit nuk kanë ato që priteshin, por shumë shpejt do të ktheheni në rrugën e duhur. Ndaj Ëolfsburgut do të jetë një ndeshje shumë interesante dhe me intensitet. Kemi nevojë vetëm për pak fat”, tha Kovaç, duke mohuar njëkohësisht se humori në dhomat e veshjes nuk është aspak i mirë: “Humori është mirë, të gjithë duan të kthehen te suksesi. Ndryshimet e shumta në formacion? Nuk mund të luash me të njëjtët futbollistë dy herë në javë për 6 javë radhazi. Nuk mund të funksionojë.”
Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i ‘bavarezëve’, Karl Hajnc Rumenige, duke folur për krizën e klubit, sulmoi edhe mediat, të cilat po shpifin për klubin e tyre, duke paralajmëruar se në të ardhmen si klub nuk do të lejojnë që të ketë rraportime të rreme lidhur me klubin e tyre.
“Çfarë kam lexuar për Manuel Nojer, nuk kam fjalë. Ai është shpallur 4 herë portieri më i mirë në botë. Ajo që Nojer bëri në një ndeshje, nuk mund të ndryshojë opinione dhe të lindë dyshime. Kam lexuar edhe për Boateng dhe Humels. Polemikat duket se nuk njohin kufij. Kjo vlen për median, për ekspertët dhe për ish-futbollistët tonë. Nuk do të lejojmë më të ketë raportime të rreme dhe shpifje për klubin tonë. Nga sot, do të mbrojmë klubin dhe futbollistët” – u shpreh Rumenige.
Në 3 ndeshjet e fundit, Bajerni numëron 1 barazim dhe 2 humbje duke u renditur në vendin e gjashtë.