Derbi i Milanos, ndryshe i njohur si ‘Derbi della Madonina’ po troket, me emocionet dhe spektaklin që pritet të përcjellë kjo super përballje mes dy skuadrave gjigande italiane.
Ndeshja në fjalë në program është të dielën, ndërsa informacionet flasin se derbin e 169-të mes dy skuadrave nga Milano do ta ndjekin plotë 78 mijë spektatorë.
Njëherit do të jetë kjo ndeshja me më shumë tifozë për këtë fillim sezoni në ‘Serie A’, ku në arkat e ekipit të Spaletit do të derdhen gjithashtu mbi 5 milionë euro.
Që nga muaji gusht, tribunat e stadiumit milanez kanë qenë më të mbushurat në Itali. Interi ka arritur në kuotën e 294.233 tifozëve gjithsej, me një mesatare 59 mijë të pranishëm për ndeshje, ndërkohë tek kuqezinjtë kanë qenë të pranishëm 179.855 tifozë, pra rreth 45 mijë për ndeshje.
Në këto statistika, ndeshja që ka penalizuar ekipin e Gatuzos është ajo me Olympiakosin në kuadër të fazës në grupe të Liga Europa, ndeshje këtë të cilën e kishin ndjekur vetëm 22 mijë spektatorë në “San Siro”.
Të dyja skuadrat vijnë nga një periudhë më se pozitive, duke i rritur pritshmëritë e tifozërive për derbin. Interi vjen pas 6 rezultateve pozitive radhazi, ndërkohë Milani ka krijuar një farë vazhdimësie me 3 fitore të njëpasnjëshme.
Ndeshja Inter – Milan në program është të dielën me fillim në ora 20:30.