Franca jo rastësisht ka treguar se është kampione e Botës. Edhe pse ishte në disavnatazh në përballjen ndaj ish kampionëve të Botës, Gjermanisë, në fund ‘gjelat’ shënuan fitore me rezultatin 2:1, duke i shkaktuar edhe disfatën e 6-të brenda këtij viti kombëtares gjermane, gjë kjo që nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë.
Për më tepër me këtë disfatë Gjermania u eliminua edhe nga Liga e Kombeve, duke pasur parasysh se në 3 ndeshjet e para ka marrë vetëm 1 pikë, ndërkohë në anën tjetër Franca ka 7 pikë dhe me meritë kryeson renditjen në grupin 1 të Ligës ‘A’.
Hero te Kombëtarja franceze në këtë ndeshje doli të jetë sulmuesi i Atletiko Madridit, Antuan Grizman, që shënoi të dy golat (62’80’), ndërkohë golin e vetëm dhe të parin në këtë ndeshje për “pancirët” e realizoi futbollisti i Realit të Madridit, Toni Kros.