Përfaqësuesja e Maqedonisë në tre ndeshjet e para të Ligës së Kombeve ka arritur po aq fitore, duke kryesuar bindshëm grupin 4 të Ligës ‘D’. Nesër me fillim në ora 18:00 Maqedonia do të zhvillojë edhe ndeshjen e katërt kundër Armenisë në Erevan, ndërsa pavarësisht rezultatit përfundimtarë Maqedonia do të mbetet në pozitën e parë, aty ku ndodhet edhe tani me plotë 9 pikë, 6 më shumë se tre rivalët e grupit Lihtenshtejni, Armenia dhe Gjibraltari, që kanë nga 3 pikë.
Nëse Maqedonia përfundon e para në grup atëherë sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Ligës ‘C’, aty ku këtë vit po garon Kombëtarja e Shqipërisë.
Përveç kësaj, përfaqësuesja e Maqedonisë do të luante në ndeshjet e “play-off” të Ligës ‘D’ kundër fituesve të tre grupeve tjera, ndërsa ekipi fitues do të kualifikohej në Kampionatin Europian të vitit 2020. Sipas renditjes momentale në ndeshjet e “play-off” do të luanin Gjeorgjia nga grupi 1, Luksemburgu nga grupi 2, Kosova nga grupi 3 dhe Maqedonia nga grupi 4.
Kujtojmë se në dy ndeshjet e nëntorit Maqedonia luan në transfertë ndaj Lihtenshtejnit, për të pritur më pas në Shkup Gjibraltarin.