Skuadrës së Struga Trim Lum i ka mjaftuar vetëm një gol për të marrë tre pikë të plota dhe për tu rikthyer në pozitën e parë vetëm pas 24 orëve, pasi sot në ndeshjen e parafundit të javës së 9-të në Ligën e Dytë – Perëndim mundi Genç Kalemlerin me rezultatin minimal 1:0, njofton ‘infOSport.mk’.
Golin e vetëm në këtë ndeshje për ekipin strugan e realizoi Altin Lloga në minutën e 35-të, gol ky që në fund u tregua i mjaftueshëm për ekipin e Struga Trim Lum që ti gëzohet edhe fitores së 6-të këtë edicion.
Gjatë pjesës së dytë mysafirët tentuan që të barazojnë rezultatin, mirëpo pa sukses, ndërsa edhe të besuarit e trajnerit Aleksandar Tançeski patën disa raste, të cilat megjithatë nuk i konkretizuan. Mysafirët nga minuta e 62-të luajtën me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Shaban Sulejman, i cili u ndëshkua me të kuq.
Me këtë fitore Sruga Trim Lum tashmë numëron 20 pikë dhe i vetëm kryeson renditjen, duke lënë pas vetes rivalin lokal, Labunishtin me 18 pikë, ndërkohë vendi i tretë është për Gostivarin që ka tubuar 15 pikë.
Genç Kalemler mbetet në kuotën e 11 pikëve, duke u pozicionuar aktualisht në vendin e 7-të.