Është dashur të kalojnë 5 xhiro që Juventus Serava të arrijë fitoren e parë në sezonin e ri të Ligës së Parë të Futsalit në vend, njofton ‘infOSport.mk’. Skuadra nga Serava sonte si vendas në palestrën ‘Enver Idrizi’ në lagjen e Seravës mundi Cikon me rezultatin e ngushtë 7:6.
Ishte kjo një ndeshje e barabartë në të cilën të parët që kaluan në avantazh ishin mysafirët, të cilët me avantazhin 3:4 e mbyllën edhe pjesën e parë.
Drama e vërtetë ndodhi në pjesën e dytë, ku Juventus Serava luajti shumë më mirë, ndërsa golin e fitores ‘bardhezinjtë’ e shënuan vetëm 3 sekonda para fundit me anë të veteranit Besnik Latifi, i cili me golin e dytë personal në ato momente shënoi golin vendimtarë për fitoren 7:6 të skuadrës së tij.
Përveç Latifit që shënoi dy gola në këtë përballje, nga dy të tjerë shënuan edhe Pajtim Rexhepi dhe Enes Jusufi, teksa një gol realizoi Xhelal Mjaku.
Ndeshjen e rradhës Juventus Serava do ta zhvillojë në transfertë kundër Kratovës.