Përfaqësuesja e Kosovës mbrëmë në Prishtinë në një lojë shumë bindëse mundi Maltën, duke vazhduar kështu serinë e rezultateve pozitive nën drejtimin e strategut zviceran, Bernard Çallandes. Kosova shënoi fitore 3:1 në ndeshjen e vlefshme të Ligës së Kombeve, ndërsa më i merituari për këtë fitore ishte futbollisti i Cyrihut, Benjamin Kololli.
Megjithatë ky i fundit për shkak të një lëndimi të mëhershëm dhe të ripërtëritjes së sërishme gjatë ndeshjes së mbrëmshme Kosova – Malta nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar skuadrën në ndeshjen e 14 tetorit kundër Ishujve Faroe në transfertë.
“Shtabi teknik i ekipit kombëtar është duke shikuar mundësitë për të gjetur një zgjidhje dhe për ta ftuar një futbollist tjetër si zëvendësim për Kolollin, i cili do të kthehet në shtëpi dhe nuk do të udhëtojë fare në Ishujt Faroe”, thuhet tutje në njoftimin e FFK-së.
Rikujtojmë Kosova pas 3 xhirove të para në grupin e tretë të Ligës ‘D’, kryeson renditjen me 7 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani, që mbrëmë kishte mundur Isuhjt Faroe në transfertë me rezultatin 0:3.