Umit Karan debutoi me barazim te FC Shkupit

Strategu turk, Umit Karan, një emër mjaft i njohur në futbollin turk, por edhe atë Europian, ka debutuar me barazim në bankinën e FC Shkupit, skuadër kjo që në kuadër të javës së 9-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë barazoi 1:1 ndaj Rabotniçkit, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja nisi mjaft mirë për “bardhekaltërit” nga Çairi, të cilët avansuan vetëm pas 9 minutave lojë pas autogolit të kolumbianit Sebastian Herera, i cili në duel me sulmuesin 17-vjeçar Suhel Muharemi, në tentativë për të ndaluar atë shënoi në rrjetën e gabuar.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa golin e barazimit Rabotniçki e gjeti në minutën e 63-të, kur Herera mjaft mirë harkoi nga e majta, ndërsa para portës së vendasve, më së miri reagoi sulmuesi shtatëshkurtë, Petar Petkovski, që në ato momente shënoi golin e barazimit.

Për sulmuesin e “romantikëve” ishte ky goli i 6-të sezonal, ndërsa me këtë barazim Rabotniçki arriti në kuotën e 11 pikëve, duke u renditur aktualisht në pozitën e 6-të. Në anën tjetër FC Shkupi raundin e parë të ndeshjeve, nga gjithsej 4 raunde prej nga 9 ndeshje në LPFM e mbylli në pozitën e fundit me vetëm 6 pikë të tubuara.

Leave a Reply