E shtuna në futbollin vendor sjellë derbin midis dy skuadrave shqiptare nga Tetova, Shkëndijës dhe Renovës. Skuadra “kuqezi” është favorit në këtë ndeshje, mirëpo kjo e fundit në këtë përballje futet me vetëm një pikë nga dy ndeshjet e fundit dhe asnjë gol të shënuar, ndërsa në anën tjetër Renova vjen me një seri pozitive prej dy fitoreve të njëpasnjëshme, edhe atë kundër Akademia Pandevit në transfertë dhe FC Shkupit në Tetovë.
“Bardhekaltërtit” nga Xhepçishti sezonin e ri e hapën me fitore 4:3 në transfertën ndaj Rabotniçkit, mirëpo më pas hynë në krizë kur u eliminuan nga Kupa e Maqedonisë nga Tikveshi i Kavadarit, ndërsa në kampionat në pesë ndeshje regjistruan një barazim dhe 4 disfata. Kjo krizë e rezultateve bëri të largohet trajneri Jeton Beqiri, ndërsa ekipi për momentin nuk ka emëruar pasardhës së tij dhe udhëhiqet nga drejtorët sportiv.
EKIPI I RENOVËS VAZHDON TË MBETET PA TRAJNER
Që prej largimit të Jeton Beqirit me datë 26 shtator, Renova po i zhvillon ndeshjet pa trajner, ndërsa skuadra në dy ndeshjet e fundit me mjaft sukses po udhëhiqet nga drejtori sportiv Lirim Saiti dhe koordinatori i skuadrës, Skender Jonuzi. Kjo dyshe triumfuese do të udhëheq skuadrën edhe në ndeshjen e nesërme derbi ndaj Shkëndijës.
HISTORIA
Shkëndija tanimë 14 ndeshje me rradhë nuk dinë për disfatë në ndeshjet ndaj Renovës, edhe atë në 12 ndeshje kampionale dhe në dy të tjera në kuadër të Kupës. 9 fitore për Shkëndijën dhe 5 barazime është epilogu i këtyre takimeve.
Për herë të fundit Renova e kishte fituar Shkëndijën në prill të vitit 2015, edhe atë me rezultatin minimal 1:0. Sezonin e kaluar rivalët lokal zhvilluan 6-të përballje, pasi përveç katër ndeshjeve kampionale (katër fitore të Shkëndijës me rezultat 2:0, 6:1, 5:0 dhe 3:0) u ndeshën edhe në gjysmëfinale të Kupës ku pas barazimit 1:1 në takimin e parë, Shkëndija siguroi finalen pas fitores 2:0 në ndeshjen e kthimit, ndërsa në finalen e madhe “kuqezinjtë” mundën Pelisterin me rezultatin 3:0.
Në tre ndeshjet e fundit mes tyre, Renova nuk ka shënuar asnjë gol, duke pranuar 10 gola, përfshirë edhe fitoren 2:0 në kuadër të Kupës.
MUNGESAT
Skuadra e Shkëndijës është e kompletuar dhe e pushuar për këtë ndeshje me pjesën më të madhe të futbollistëve standardë që nuk u angazhuan në mesjavë. Mungesa e vetme është Konstantin Çeshmexhiev i cili të mërkurën kundër Kit-Go lëndoi shpatullën dhe për momentin mbetet jashta kombinimit, ndërsa në anën tjetër te Renova të gjithë futbollistët janë të gatshëm, me përjashtim të portierit të dytë, Hadis Veli.
RIVALITETI
Rivaliteti te këto dy skuadra është shumë i madh. Shkëndija ka një armatë të madhe tifozësh dhe është shumë më e popullarizuar në qytetin e Tetovës. Si çdo derbi lokal, edhe ky është i zjarrtë dhe skuadrat gjithnjë luftojnë deri në fund për fitoren.