Berisha: Do japim më të mirën për të marrë tre pikët

Vardari dhe Akademia Pandev sot në Shkup do të zhvillojnë ndeshjen derbi të javës së 9-të në LPFM, njofton ‘infOSport.mk’. Është kjo një super ndeshje, ku mejdanin ndajnë skuadra e parë dhe e dytë në tabelë, me Vardarin favorit bazuar edhe në ndeshjet e sezonit të kaluar mes këtyre dy skuadrave.

Lidhur me këtë ndeshje për portalin tonë foli sulmuesi i talentuar shqiptarë i Vardarit, Jakup Berisha, i cili thotë se ndaj Akademia Pandevit mendojnë vetëm fitoren.

“Pritjet e mija dhe gjithë klubit janë vetem fitorja dhe 3 pikët. Aktualisht jemi në vendin e parë dhe dëshirojmë që edhe gjatë kohë të mbesim në këtë pozitë. Shpresojmë të vazhdojmë me ritmin e njëjtë dhe nga ndeshja në ndeshje të thellojmë diferencën ndaj skuadrës së dytë në tabelë. Ndaj Akademia Pandevit do të japim maksimumin për të arritur deri tek fitorja, pasi është shumë e rëndësishme për ne. E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, por besoj fuqishëm në fitore dhe se në fund gjithë së bashku do festojmë tre pikët” – tha enkas për “infOSport.mk” sulmuesi Jakup Berisha.

Ky i fundit në mesjavë luajti titullarë në ndeshjen e Kupës kundër Makedonija Gj.P, ndërsa shpreson të marrë besimin e trajnerit Vasoski edhe në takimin e sotshëm ndaj Akademia Pandev, ndeshje kjo që starton në ora 15:00.

Leave a Reply