Futbolli italian po kthehet aty ku i takon. Ose të paktën, kështu duket. Që prej 13 vjetësh, katër skuadra të Serisë A nuk fitonin të gjitha ndeshjet e tyre në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Në sezonin 2005-2006 të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube, ishin Milani, Interi, Juventusi e Udinese që cilat fituan ndeshjet e tyre, ndërkohë këtë mesjavë flamurin italian e mbajtën lart Juventusi, Roma, Interi dhe Napoli.
Nëse “bardhezinjtë” e kryeqytetasit arritën fitore të pastra, përkatësisht 3”0 kundër Jang Bojs dhe 5:0 kundër Viktoria Plzen, “zikaltrit” e “napolitanët” arritën pa dyshim fitoret më të vështira.
Për të dytën ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve, Interi arriti të kthejë rezultatin nga 0:1 në 2:1, ndërkohë që “napolitanët” e Ançelotit mundën 1:0 nënkampionët e Europës, Liverpullin, me golin e Insinjes në minutën e 90-të.
Prej vitesh skuadrat e Gadishullit Apenin kanë vuajtur në Europë, ku pas fitores së Interit në 2010-ën, rezultatet më të kënaqshme kanë qenë finalet e humbura nga Juventusi, kundër Barcelonës në vitin 2015-të dhe Realit në 2017-ën.
Dikur, “Seria A” konsiderohej si kampionati më i fortë në botë, ku skuadrat shkëlqenin jo vetëm në Itali. Në atë kohë luanin kampionë si Vieri, Shevçenko, Del Piero apo Totti, lojtarë të cilët ishin të aftë të ndryshonin të vetëm fatin e një ndeshjeje, raporton SS.
Ndoshta katër fitoret e arritura këtë mesjavë nuk do të thotë se klubet italiane do të rikthehen të dominojnë Europën, por, pa dyshim, ky është një hap më tej drejt rikthimit mes më të mirëve.
Gjithsesi, kjo nuk është rastësi, pasi që nga ky sezon edhe Seria A është përforcuar ndjeshëm dhe është kthyer në një kampionat emocionues dhe me shumë rivalitet falë investimeve që kanë bërë skuadrat kryesore.