Tieri Henry do të rikthehet në Angli, por kësaj rradhe si trajner. Legjenda e Arsenalit, pjesë e së cilës skuadër ishte për 8 vite të plota (1999-2007), dhe ku u rikthye sërish në vitin 2012 në formë huazimi nga Nju Jork Red Bull, shihet si favorit për të marrë drejtimin e skuadrës së Aston Villas, që aktualisht garon në Çampionship.
Drejtuesit e kësaj skuadre për shkak rezultateve të dobëta shkarkuan trajnerin e tyre, Stiv Brus. Henry edhe gjatë verës, u përmend shpesh si një nga kandidatët për te drejtuar skuadrën e Aston Villas, por drejtuesit vendosën që t’i besonin sërish Brus.
Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze ishte pranë stolit të Bordos pak javë më parë, por mes palëve nuk u arrit një marrëveshje.
Në ditët në vijim Aston Villa do të vendosë nëse Henry do të jetë trajneri i ardhshëm i tyre. Rikujtojmë Henry deri më tani nuk ka udhëhequr ndonjë skuadër, ndërsa luante rolin e ndihmës trajnerit të Kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez.