Sot në Strumicë me fillim në ora 17:00 zhvillohet finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë ndërmjet Pelisterit dhe Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.
Është kjo hera e parë që këto dy skuadra do të përballen në një finale të Maqedonisë, ndërsa hera e dytë që do luajnë në qytetin e Strumicës, pasi një gjë të tillë kishin bërë edhe gjatë vitit 2009-të.
Mirëpo për dallim nga ajo ndeshje e para 8 viteve kur luanin ndeshjen e balotazhit, se cila prej skuadrave do të sigurojë një vend për në elitë, kësaj rradhe këto dy skuadra do luftojnë për trofeun e Kupës së Maqedonisë, gara e dytë më e rëndësishme në vend.
Në atë ndeshje Pelisteri kishte shënuar fitore me rezultatin 3:0, duke arritur që të në fund të ruaj statusin e skuadrës elitare, derisa Shkëndija që ishte renditur në pozitën e tretë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, pas disfatës edhe vitin tjetër garoi në të njëjtën ligë, duke u kthyer më pas shumë fuqishëm në futbollin vendor, ku pas inkuadrimit në elitën e futbollit vendor vetëm një vit më pas, në fund arriti që të shpallet edhe kampion i Maqedonisë në sezonin 2010/2011.