Mançester Siti ka arkëtuar tre pikë të lehta në ndeshjen si vendas kundër Uest Bromuiç Albionit, duke bërë një hap të madh drejt pjesëmarrjes për në Ligën e Kampionëve Evropian sezonin që vjen. Në ndeshjen e mbetur të javës së 34-të “pasanikët” nga Mançesteri shënuan fitore me rezultatin 3:1, duke tejkaluar Liverpullin në renditje.
Skuadra e Pep Guardiolas falë fitores së sontshme tashmë renditet në pozitën e tretë me dy pikë më shumë se Liverpulli në pozitën e katërt dhe tre më shumë se Arsenali në pozitën e pestë. Në ndeshjen e javës së fundit Mançester Siti do të jetë mysafir i Uatfordit, ndaj së cilës skuadër do i mjaftonte edhe një barazim për të siguruar TOP-4 dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve Evropian.
Ndryshe më të merituar për fitoren e sontshme të “citizens” ishin Gabriel Hesus (27’), Kevin De Brujne (29’) dhe Jaja Ture (57’), derisa golin e nderit për mysafirët e realizoi Robson Kanu, tre minuta para fundit të takimit.