Juve sonte ka dëshmuar pse është skuadra №1 në Itali, pasi edhe përkundër disavantazhit që kishte, në fund mundi Napolin me rezultatin 3:1 në ndeshjen derbi të javës së 7-të, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “napolitane” kaloi në epërsi me golin e realizuar nga Mertens në minutën e 10-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi pasimin e Kalehon, duke shënuar në rrjetën e zbrazët, ndërsa kundërpërgjigjja erdhi në minutën e 26-të me anë të sulmuesit kroat Mario Manxhukiç që shënoi një gol të bukur me kokë.
I njëjti futbollistë në minutën e 4-të, të pjesës së dytë shënoi edhe golin e dytë personal, për të kaluar për herë të parë në epërsi “Zonjën e Vjetër” në këtë ndeshje që u zhvillua para tribunave të mbushura në “Alianc Stadium”.
Nga minuta e 58-të Napoli luajti me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Mario Rui (dy kartonë të verdhë), ndërsa këtë më së miri e shfrytëzuan “bardhezinjtë” që në minutën e 76-të me anë të mbrojtësit Leonardo Bonuçi shënuan edhe golin e tretë, për rezultatin përfundimtarë, Juventusi 3, Napoli 1.
Me po të njëjtin rezultat gjatë ditës së sotme Roma mundi Lacion në derbin e kryeqytetit italian.